Wednesday 12 December 2018

PARATHËNIE

This post is also available in: English, German, Turkish

Mrekullia, paraqet kapacitetin e gjërave mbi njerëzore dhe mbi shoqërore si dhe kapacitetin mbi rregullat e natyrës. Me ardhjen e një Pejgamberi, njerëzit e atij rrethi prej të njëjtit Pejgamber kanë kërkuar argumente dhe mrekulli. E njëjta vlente edhe për Pejgamberin Musa, për Pejgamberin Isa edhe për Pejgamberin Muhammed:

Ata thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij një mrekulli nga Zoti i tij?”
29-Sureja Ankebut 50

Për Allahun është shumë lehtë të krijojë mrekulli. Mirëpo këto mrekulli nuk ndodhin sipas dëshirave të mohuesve. Pejgamberi, si Dërgues nga Allahu vjen me qëllim që ta kryejë detyrën e paralajmërimit. Pa lejen e Zotit, asnjë Pejgamber nuk mund të krijojë mrekulli dhe nuk mund t’u ofrojë njerëzve argumente. Sipas dyshimit të mohuesve siç përmendet edhe në ajetin më lart, në të njëjtin ajet jepet një përgjigje e këtillë:

Thuaj: “Çështja e mrekullive është vetëm në duar të Allahut, e unë nuk jam tjetër pos tërheqës i vërejtjes dhe shpjegues.”
29-Sureja Ankebut 50

NËSE KËRKON MREKULLI, TË MJAFTON KURANI

Argumenti që e kërkojnë mohuesit, janë në formën “Le ta shfaq veten Allahu” ose “Le të zbresin engjëjt prej qiellit”, mirëpo mrekullitë nuk zbresin sipas aftësisë mendore të mohuesve. Allahu, në vazhdimin e ajetit më lart, tregon se në Kuranin që e ka zbritur ka mjaft argumente:

“Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne ta shpallëm librin, i cili u lexohet atyre, e s’ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëzit që duan të besojnë”.
29-Sureja Ankebut 51

Pejgamberi insiston duke thënë : “Unë jam një krijesë”, “Argumentet janë në duart e Allahut”, “Unë nuk kërkoj prej jush asnjë çmim, asnjë interes”, “Ja ku e keni Librin e Allahut, zbatojeni atë”. Allahu në Kuran, gjatë zbritjes së Kuranit tërheq vëmendjen duke pyetur “A nuk u mjaftoi kjo atyre?”. Por duket qartë se cilësia inatçore e mohuesve nuk thyhet në asnjë mënyrë, ata e mohojnë çdo argument që e shohin. Ata thonë se Kurani nuk është asgjë pos fjalë e njeriut:

“Ky nuk është tjetër, përveç fjalë njerëzish!”
74 – Sureja Muddeththir 25

PREJ NËN DET E DERI NË THELLËSITË E UNIVERSIT

Në këtë libër, do të shqyrtojmë tema të ndryshme duke filluar prej krijesave nën det e deri në thellësitë e Universit, prej krijimit të Gjithësisë e deri te zbulimet e fundit për Gjithësinë, prej krijimit tonë në barkun e nënës e deri te jeta e bletëve, prej temave më të ashpra të filozofisë e deri te problemet më të vështira të fizikës. Derisa i shqyrtojmë të gjitha këto tema, do e diskutojmë vlerën e tezës “Kurani është prej Allahut” që mohuesit e kundërshtojnë me “Kurani është fjalë e njeriut”.
Në të gjitha shqyrtimet do të shohim se edhe pse Kurani hyn në tema të ndryshme prej njëra-tjetrës, nuk bën asnjë gabim, si dhe nuk përcjell informata që janë të panjohura për periudhën e njerëzve. Në Kuran ka sqarime me 4-5 fjalë, për të cilat është nevojitur të mblidhen informata me mijëra vite në mënyrë që të kuptohen. (Për shembull, ajeti Kuranor që do e hasim në pjesën e parë që flet për zgjerimin e Gjithësisë). Përveç kësaj, informatat e zbuluara në ditët e sodit, kanë qenë të mundshme vetëm me ndihmën e teleskopëve të zhvilluar, mikroskopëve të zhvilluar, vështrimeve dhe hulumtimeve të sistematizuara dhe shpenzimeve të mëdha.

Gjatë leximit të librit do e kuptojmë se; Edhe po të bëhej “i një mendimi” i gjithë njerëzimi në kohën e Hz.Muhammedit, nuk do të mundeshin t’i thoshin ajetet e Kuranit. Madje pohojmë se; edhe po të bëheshin “të një mendimi” të gjithë njerëzit që kanë jetuar para 100 viteve, nuk do e kishin të mundur t’i dinë informatat që i kemi numëruar në kapitullin e parë të këtij libri që janë të renditura në 70 pjesë. Sqarimet kaq të mrekullueshme që janë dhënë qysh në periudhën e Pejgamberit, janë mrekulli të pakrahasueshme. Mohimi i këtillë i argumenteve, i cili nuk mund të sqarohet as me rastësi e sidomos as me nivelin e njohurive që kanë qenë prezente në periudhën e Pejgamberit, është një shfrenim i së vërtetës.

“Argumentet Tona nuk i mohon kush pos të shfrenuarve.”
29-Sureja Ankebut 49

PREJ TE BEDUINI I SHKRETËTIRËS E DERI TE PROFESORI

Në librin tonë do të shohim se informatat që shkenca moderne sapo i ka mësuar, Kurani të njëjtat i thotë para 1400 viteve. Këto informata, Kurani i jep në metoda të ndryshme nga ato që praktikohen nëpër librat e fizikës, kimisë, biologjisë. Derisa Kurani e jep direkt rezultatin, shkencat tjera me numër të madh të librave i transferojnë të gjitha informatat të cilat janë mbledhur deri në arritje të po të njëjtit rezultat. Ndërsa Kurani, vjen nga Krijuesi i Gjithësisë. Ai s’ka nevojë për mbledhje të informatave. Ai, sidoqoftë di gjithçka. Për këtë arsye, sqarimin për të cilin është i mbushur një libër i plotë, e jep me 4-5 fjalë.

Derisa Kurani e bën këtë, Ai i drejtohet një sfere të gjerë të njerëzve duke filluar prej beduinit të shkretëtirës e deri te dijetari i thelluar në shkencë apo te profesori. Po, Kurani i shfaq të gjitha shpjegimet elite, mirëpo nuk është elitist. Për Kuranin është i rëndësishëm i tërë njerëzimi. Kurani i drejtohet tërë njerëzisë, mirëpo e dallon të diturin nga i padituri:

“Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.”
39-Sureja Zumer 9

NËSE KA PËR ATA, PSE NUK KA EDHE PËR NE?

Në pjesën e parë të librit tonë, më tepër do i shqyrtojmë mrekullitë shkencore në Kuran. Ndërsa në pjesën e dytë, jemi përqendruar në mrekullitë matematikore brenda Kuranit. Matematika, është gjuha e përbashkët e të gjitha shkencave natyrore, është gjuha që nuk ka pësuar mohime. Me mrekullitë matematikore të zbritura në Kuran, do të tregojmë se Kurani nuk është prodhim njerëzor dhe do të vërtetojmë se Kurani është i mbrojtur. Padyshim se edhe shkrimi letrar i Kuranit është një mrekulli në vete. Por njerëzit që nuk e njohin gjuhën arabe, e kanë vështirë ta kuptojnë mrekullinë letrare të Kuranit. Për këtë arsye, në librin tonë do i shqyrtojmë mrekullitë matematikore të Kuranit të cilat janë gjuhë e përbashkët e shkencave natyrore tek të gjithë njerëzit. Me këtë, do të jemi dëshmitarë se thirrja e Kuranit është universale dhe do të shohim se si ajo thirrje sjell mrekulli universale.

Në periudhën kur njerëzit merreshin me magji, Hz.Musa me mrekullitë që ia dha Allahu, e mposhti një grup magjistarësh si dhe Faraonin i cili e konsideronte veten si perëndi. Në periudhën kur shërimi ishte i përhapur, Hz.Isa tregoi mrekullitë e Zotit duke i shëruar të sëmurit. Në ditët e sodit, jemi dëshmitarë të një periudhe kur materia garon që ta merr vendin e fesë, e cila materie gjithashtu është e krijuar nga Allahu, nga “Krijuesi i materies dhe shkencës”. E mu në këtë periudhë, Allahu i nxjerr në shesh mrekullitë shkencore dhe matematikore në Kuran. Sa mahnitëse është nxjerrja në shesh e mrekullive të këtij lloji mu në këtë periudhë të historisë!

Allahu, me këto mrekulli, në Gjithësinë që e ka krijuar, tregon se rregullat shkencore që vetë i ka vendosur dhe të gjitha formimet shkencore që i ka krijuar nuk janë dhe nuk mund të jenë në kundërshtim me fenë të cilën vetë Ai e ka dërguar. Po, Kurani as nuk kundërshtohet brenda vetes, e as nuk kundërshtohet me Gjithësinë që Allahu e ka krijuar:

“A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie.”
4- Sureja Nisa 82

Me këtë, e marrin përgjigjen e duhur ata që thonë se “Popujve tjerë u është dërguar mrekulli… Për ata ka mrekulli, por pse nuk ka mrekulli edhe për ne?”. Allahu vendos vetë a do të zbret mrekulli apo jo, dhe nëse zbret, vetë e vendos kohën kur e zbret mrekullinë. Duhet t’ia dimë vlerën e mrekullive që Allahu i shpreh në fizikë e kimi, në biologji e matematikë. Krijesat që kërkojnë ndihmën e Zotit, ndihma u ka ardhur. Të përfitojmë nga ndihma e Zotit. Në periudhën kur shkenca paraqitet në pozitën e kundërt me fenë, mrekullitë e fesë, Allahu i ekspozon në platformën e shkencës. Kështu, kuptohet edhe saktësia e fesë së Allahut, edhe veprimi i gabuar i përplasjes fetare-shkencore.

SFIDA

Për ata që thonë se feja ka përplasje me shkencën, pasi ta lexoni këtë libër, me krenari mund t’ua ofroni njërën prej dy opsioneve më poshtë:

1. Ose feja që ofrohet para opinionit nuk ka të bëjë aspak me fenë e vërtetë. Feja tollovitet me trillime dhe kështu ofrohet. Urgjentisht këto trillime duhet të nxirren nga feja.
2. Ose ka ndonjë gabim shkencor në të dhënat dhe argumentet. Duhet të gjenden bazat e këtyre gabimeve, me një vështrim dhe përpilim sistematik, shkenca duhet të shpëtohet nga këto gabime.

Sistemin fe që e dërgoi Allahu, nuk është në kundërshtim me rregullat e
Allahut për Gjithësinë që shprehen me shkencë. Mirëpo, mashtruesit fetar që flasin në emrin e fesë së Allahut dhe shkencëtarët mashtrues që e mohojnë Krijuesin e shkencës, mundohen t’i shfaqin këta konflikte që fare nuk ekzistojnë.

Në Kuran, ka aq shumë vetëbesim saqë kjo gjë nuk mund të haset në asnjë libër tjetër. Secili që e lexon Kuranin, arsyen e këtij besimi të lartë e ndërlidh në dy mënyra; ose me atë që “Kurani është prej Allahut”(për besimtarët) ose sipas shprehjes me frazën e guximit “injoranti është i guximshëm”(për pabesimtarët). Kurani e vendos veten në aso pozite dhe është aq vërtetues saqë për ata që besojnë ose nuk besojnë janë të mendimit që “Kurani është e vërteta më e madhe”( për besimtarët) ose “Kurani është gënjeshtra më e madhe”(për pabesimtarët). Edhe ata që e mohojnë, nuk janë në pozitë të dëshmojnë se Kurani është libër i rëndomtë. Po, Kurani, në mënyrë të pakrahasueshme dhe me besim të plotë drejtohet kështu:

13. “Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kuranin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!”

14. “E nëse nuk u përgjigjen juve, atëherë pra ta keni të qartë se ai (Kurani), është i zbritur me dijen e Allahut dhe se nuk ka zot pos Tij. A jeni pra myslimanë?”
11-Sureja Hud 13-14

Dhjetë kaptina… Të formulosh vetëm dhjetë kaptina të ngjashme… Po të mundeshin vetëm në këtë të kenë sukses, do e ndalonin zgjerimin e Kuranit, do e pengonin që Kurani të depërtojë në çdo sferë të njerëzimit.

23. “E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit).”

24. “E mos e paçi bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët.”
2-Sureja Bekare 23-24

Po, nuk janë as dhjetë! Vetëm një, vetëm një kaptinë… Hajde, përgjigjuni kësaj sfide të jashtëzakonshme! Historia dëshmon se nuk është dhënë këso përgjigje. Po të ishte e mundur të formulohen kaptina të ngjashme me ato të Kuranit dhe të dilej përballë kësaj sfide, atëherë mohuesit do e realizonin këtë dhe do e pengonin zgjerimin e Kuranit. Mirëpo nuk e bënë, nuk mundën ta bëjnë… Në vend të kësaj e zgjodhëm të vështirën dhe mohuesit të cilët jetuan në periudhën e Pejgamberit tonë, i kapën shpatat dhe filluan të vrasin, luftuan. Nëse do të ishte e mundur mënyra e lehtë(!), sigurisht se nuk do të kishte nevojë për mënyrën e vështirë. Ishte lehtë të shkruhet një shkrim, por ishte e pamundur të formulohet një kaptinë e vetme e Kuranit.

Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”.
17-Sureja Isra 88

Një pohim mahnitës, një vetëbesim mahnitës! Mrekullitë e Kuranit që do t’i lexojmë në këtë libër, vërtetë do të na vërtetojnë se sa me vend janë këto pohime që ofrohen.

TË JESH APO TË MOS JESH

Derisa i lexojmë pjesët që i treguam për mrekullitë e Kuranit, të mos harrojmë se çka mbrojnë dhe çka thonë në Kuran të gjitha këto mrekulli. Çështjet që i vë në pah Kurani, janë çështje të llojit “të jesh apo të mos jesh”. Konsiderojeni për një çast se nuk ekziston Kurani. (E njëjta vlen edhe për të gjitha fetë që i ka dërguar Allahu në të kaluarën.) Pyetjet e njerëzve “Nga erdha” dhe “Nga jam duke shkuar” do të mbesnin pa përgjigje. Megjithëse përgjigjja e këtyre pyetjeve, për njerëzimin është më e rëndësishme se ushqimi dhe pija. Sepse ushqimi dhe pija janë gjëra të pashmangshme të një jetës së shkurtë të botës. Mirëpo njeriu, sipas natyrës së tij të krijimit, gjithnjë dëshiron të jetë ekzistues dhe aspak të mos zhduket. Pra Kurani dhe bashkë me Kuranin edhe librat tjera të dërguara nga Allahu, i japin zgjidhje çështjes “të jesh apo të mos jesh”.

Mrekullitë e Kuranit që do i shqyrtojmë, janë të formuluara një libër të tillë; saqë ai libër e zgjedh çështjen e njerëzve “të jesh apo të mos jesh”. Andaj, rezultati që rrjedh nga gjithë këto mrekulli, e shfaq përfitimin më të madh të njerëzimit. Cili përfitim mund të ngadhënjejë mbi ekzistimin e pafundmë?! Cili numër i kufizuar ka vlerë në krahasim me numrin e pakufizuar? Pranë mesazhit dhe sihariqit të Kuranit që e shpreh të pafundmen; të gjithë librat e njerëzve, i gjithë mundi i kufizuar i kësaj bote, nuk mund të vlejnë sa vlen Kurani. Sado që t’i mblidhni numrat e kufizuar, a mund t’i afrohen numrit të pakufizuar?

Ani pse mohuesit nuk janë në vetëdije, e vërteta e mrekullive të Kuranit, është edhe në dobi të tyre. Sepse mrekullitë e Kuranit e vërtetojnë saktësinë e Kuranit. Ndërsa Kurani, ua shfaqe njerëzve jetën e pafundme; duke ua dhënë shpresën e vërtetë, ai (Kurani) e kursen njerëzimin së ekzistuari pa një qëllim. Ai(Kurani) është në dobi edhe të mohuesve që janë verbëruar nga ky inat. Edhe nëse ata, të verbëruar nga ky inat nuk e pranojnë këtë, e vërteta është kjo! Kush përveç mohuesve inatçi, mund të thotë se është më mirë të bëhesh dhѐ sesa të ekzistosh deri në pafundësi? Ajo që duam ne, nuk është që ta lëmë anash mendjen e mohuesve e t’u themi atyre të besojnë. Përkundrazi, ata vetë duhet të çlirohen nga kjo marrëzi mohuese dhe ta përpunojnë mendjen e të besojnë. Sepse Kurani, në përputhshmëri me dobitë tona, gjërat që i premton, në të njëjtën kohë janë edhe rezultate të atyre që e përpunojnë mendjen. Gjërat që i tregon Kurani janë edhe nevojë e mendjes edhe nevojë e përfitimit, veç kësaj, të gjitha këto gjëra mund t’i shohim me mbështetjen e mrekullive të Kuranit gjatë leximit të këtij libri. Mohuesit inatçi, gjërat që janë në dobi të tyre i mendojnë se janë në humbje për to, e me këtë përfitimin e tyre ia kundërshtojnë vetes. Ai që rrëzohet vetë, nuk qan!..

ÇËSHTJA THEMELORE

Gjënë të cilën e vë në pah Kurani, e cila në fakt është çështja themelore, është ekzistenca e Allahut dhe fesë. Kuptimi i ekzistimit të Allahut; shpallja e ekzistimit të Allahut te njerëzit, vendosja e këtij besimi, zhdukja e shpjegimeve të kundërta (gjëja që ua mëson njerëzve se ka Një Zot), e vërteton ekzistimin e feve. Ndërsa kuptueshmëria e saktësisë së fesë; meqë çështja themelore e fesë është të kuptohet ekzistenca e Allahut, kjo e vërteton edhe vetë ekzistimin e Allahut. Për këtë arsye, mund të themi se ekzistimi i Allahut është e lidhur me ekzistimin e fesë.

Kurani, e pasqyron fenë duke filluar prej te ekzistimi i Allahut, i ahlakut (moralit), e deri te pikëpamja për jetën. Kurani, në fakt është vetë feja. Kështu që, mrekullitë e Kuranit, janë argument edhe për ekzistimin e fesë, edhe janë argument për ekzistimin e mesazhit më të rëndësishëm të Allahut në Kuran, ekzistimin e Allahut. Për shembull, sqarimi që është bërë para 1400 viteve rreth krijimit tonë në mitrën e nënës është një mrekulli e Kuranit, e meqë Kurani është mesazhi kryesor i ekzistimit të Allahut, atëherë ky shembull është argument për ekzistimin e Allahut. Madje, vështrimi i Kuranit rreth fazave të zhvillimit të njeriut në mitrën e nënës, i cili vë në pah fuqinë dhe diturinë e Allahut, është një argument i drejtpërdrejtë i ekzistimit të Allahut. Pra, edhe në kanalin e mrekullive, edhe në kanalin e përsosmërisë, dëshmohet ekzistimi i Allahut. Kjo e shfaq saktësinë e padiskutuar se të dy mënyrat arrijnë në të njëjtin rezultat. Për këtë arsye, derisa i shqyrtojmë mrekullitë e Kuranit, do i vështrojmë mrekullitë edhe në prizmin se si Allahu krijon mrekulli. Dëshmia e ekzistimit të Allahut; meqë Kurani është vepra që në mënyrë të përkryer e shpjegon ekzistimin e Allahut dhe që është vendosur në qendrën e jetës së njerëzve, e me këtë ka marrë edhe peshën vlerësuese, kjo dëshmon se Kurani është libër i Allahut. Me këtë, mrekullitë e Kuranit, duke e dëshmuar ekzistimin e fesë e dëshmojnë ekzistimin e Allahut, edhe duke i shënuar krijimet e Allahut e dëshmojnë ekzistimin e fesë.

TË VËRTETËN, VETËM TË VËRTETËN

Gjatë leximit të këtij libri, duam që në këtë mënyrë të përfitojnë edhe besimtarët, edhe mohuesit, edhe dyshuesit:

1. Besimtarët: E falënderojnë Allahun që ua mundëson këto argumente. Fesë së Allahut i japin rëndësi edhe më tepër, duke mos dyshuar aspak, e jetojnë jetën e tyre me udhërrëfimin e librit të Allahut.
2. Mohuesit, Dyshuesit: Mohuesit dhe dyshuesit, e kuptojnë se mohimi dhe dyshimi i tyre është i kotë, i pabazë dhe i padobishëm, ndërsa e kuptojnë se besimi në Kuran është mençuri, është dëshmi dhe e është i dobishëm. Ata e heqin dorë nga mohimi dhe dyshimi i tyre që nuk sjell asgjë përpos dëmit dhe e përqafojnë Kuranin i cili sjell vetëm dobi.

Kurani, derisa i shfaq mrekullitë e tij, nuk largohet nga principi që ta tregojë të vërtetën, dhe vetëm të vërtetën. Madje, meqë shumë mrekulli që i shfaq Kurani të cilat nuk kanë qenë të kuptueshme në periudhën e zbritjes së Kuranit, mohuesit kanë tentuar ta shfrytëzojnë këtë si një dobësi. Për shembull, ta marrim parasysh ajetin 11 te Sures Fusilet (Sureja 41), i cili tregon se Gjithësia dhe Bota jonë më herët kanë qenë në formë të gaztë. Malet që i shohim përreth nesh, detet, yjet, Diellin dhe Hënën, të besosh se më parë kanë qenë në formë të gaztë, sa e pabesueshme që është kjo! Ne sot e dimë këtë pas akumulimit të informatave të astronomisë gjatë hulumtimeve sistematike dhe me ndihmën e teleskopëve. Mirëpo, dhënia e kësaj informate në periudhën kur ka zbritur Kurani, nuk ka mundësuar shumë përparësi në pikëpamjen e zgjerimit të mesazhit të Kuranit. Në të kundërtën, meqë kjo informatë nuk ka mundur të dëshmohet, ndoshta kjo ka qenë shkak për t’u tallur me njerëzit. Por Kurani, e pohonte vetëm të vërtetën, duke mos u larguar aspak nga principi e të shprehurit vetëm të vërtetën dhe duke mos bërë asnjë lëshim në këtë drejtim. Kështu që, ata që i besojnë Kuranit në çdo kusht dhe çdo ambient, me këtë e vërtetojnë besimin e tyre. Ky është një shembull historik se sidoqoftë duhet të besojmë në Kuranin edhe nëse nuk janë të qarta disa përmbajtje në të. Kurani aspak nuk i ka lëkundur besimet, disa tema që në fillim kanë qenë të pakuptueshme, më vonë kanë dalë para nesh si mrekulli të veçanta.

Asnjë mendje e njeriut, asnjë ndjenjë e njeriut, me informatën që e sjell nuk mund të sjellë dëme për kohën kur ai jeton e pastaj e njëjta informatë të sjellë dobi në të ardhmen (pas më shumë se 1000 viteve). Në fakt, është e pamundur që një njeri ta dijë këtë informatë qysh në atë periudhë të kohës; por edhe po të kishte qenë kjo gjë e mundur, atributet njerëzore do pengonin që kjo informatë të përdoret në këtë mënyrë. Sidoqoftë Kurani thotë “Ky libër, nuk është fjalë e njeriut, ky libër është nga Krijuesi i njeriut”.

Leave a Comment