Friday 15 December 2017

VDEKJA E YJEVE DHE E DIELLIT

This post is also available in: English, German, Turkish

“Kur yjet të shuhen” (El-Murselat, 8)
Në periudhën e shpalljes së Kuranit, në popull sundonte mendimi se si drita e yjeve e ka cilësinë e ndriçimit të përhershëm. Për këtë arsye, thënia e Kuranit se yjet do ta humbin shkëlqimin e tyre është edhe një prej muxhizeve, nëse merret parasysh se në periudhën para shpalljes së Kuranit, nuk është ditur struktura e brendshme e yjeve si dhe fakti se yjet do ta harxhojnë energjinë e tyre. Parashikimi kuranor i shuarjes së yjeve është muxhize.
“dhe yjet të derdhen.” (El-Infitar, 2)
Derisa në Kuran flitet për shuarjen e yjeve, në anën tjetër flitet për shkapërderdhjen (derdhjen) e planetëve, të cilat nuk janë burim i dritës. Në Kuran ylli përmendet si nexhm, ndërsa planeti si kevkeb . Planetët janë të lidhur me yjet rreth të cilave rrotullohen dhe për këtë, me shuarjen e dritës së yllit dhe me vdekjen e tij, planetët dalin prej orbitave të tyre, gjegjësisht vjen deri te shkapërderdhja e tyre. (Në disa përkthime, fjala nexhm dhe fjala kevkeb përkthehen si yll, që është pasojë e asaj se nuk i kushtohet vëmendje dallimit në mes këtyre dy trupave qiellorë) Planeti nuk është burim i dritës, por trup i cili e reflekton dritën dhe për këtë, nuk mund të flitet për shuarjen e planetëve. Kurani i shpreh muxhizet e tij në secilin ajet dhe detaj të tij.
“Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin.” (Et-Tekvir, 1)
Folja kevvere përdoret me kuptimin e mbështjelljes së çallmës rreth kokës, po ashtu ajo ka kuptimin e mbështjelljes, grumbullimit (duke e rrotulluar), mbledhjes në tubë, (para)mbështjelljes (së letrës, pëlhurës), ngjeshjes e të ngjashme.
Ajeti flet rreth asaj se si do të jetë fundi i Diellit. Sikurse të gjitha yjet, edhe Dielli ynë vjen deri te energjia me djegien e atomeve të hidrogjenit, pas së cilës lirohet nxehtësia dhe drita.
Procesi i shndërrimit të hidrogjenit në helium ndërpritet me harxhimin e atomeve të hidrogjenit, që çon deri te shuarja e yjeve. Sipas kësaj, është më se e sigurt se, nëse jo për diçka tjetër, atëherë për shkak të kësaj, edhe Dielli do të shuhet. Yjet me shuarje, sipas madhësive të tyre, shndërrohen në “gjigantë të kuq”, “xhuxhë të bardhë”, ose në “vrima të zeza”. Parashikohet që pas shuarjes, Dielli së pari të shndërrohet në “gjigant të kuq” e pastaj të vdesë. Gjatë historisë së njerëzimit, Dielli kishte vend të veçantë në sytë e njeriut, ashtu që shumë civilizime dhe kohë, madje edhe në kohën e shpalljes së Kuranit, shumë e kanë konsideruar hyjni. Edhe këtu shihet rëndësia e kuptimit të fundit të botës. Kishte të atillë të cilët, duke mos e kuptuar se do të ndodhë fundi i botës, Diellin e kishin shpallur për zot, të cilët duke menduar se gjithësia dhe Toka do të jenë përgjithmonë, kishin shpikur religjione politeiste të cilët deklaronin shpërngulje të përhershme të shpirtit në Tokë me anë të reinkarnimit. Kataklizma e përgjithshme kozmike i hedh poshtë besimet në Diellin si zot ose komentimet për transferim të përhershëm të jetës në Tokë me anë të reinkarnacionit. Ahireti dhe fundi i botës (kiameti) për të cilat flet Kurani, janë faza të lidhura reciproke të një sistemi. Kuptimi i të vërtetës së kataklizmës e cila e pret gjithësinë, e përforcon edhe besimin në botën e ardhshme (ahiretin) për të cilin flet Kurani.
“se Ora (e Kiametit) do të vijë, gjë për të cilën s’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.” (El-Haxh, 7)
Tregimi i Kuranit për zhdukjen e Diellit dhe Tokës paraqet edhe një fenomen tjetër i Kuranit. Krejtësisht është e pakontestueshme se kjo ishte e pamundur që të kuptohen me njohuritë astronomike nga periudha kur është shpallur Kurani. Myslimanët që kanë jetuar në kohën e shpalljes së Kuranit, ata i besuan të gjitha ato që janë përmendur, jo për shkak se e kanë kuptuar se kjo shkencërisht është e mundshme, por për shkak se e kanë kuptuar dhe ishin të bindur se Allahu i Lartësuar i Cili e ka krijuar gjithësinë, shumë lehtë mund edhe ta shkatërrojë.
Ndërsa sot është argumentuar e vërteta e tregimeve të Kuranit rreth asaj se do t’u vijë fundi yjeve, Diellit, Tokës dhe tërë gjithësisë. Nuk ka më njerëz që e adhurojnë Diellin, yllit që udhëton kah fundi i tij.
Shpresojmë se nuk do të ketë më as prej atyre njerëzve të cilët e adhurojnë materien, sepse sot secili njeri i mençur e sheh se materia gjithsesi mund të shkatërrohet dhe se një ditë do të zhduket.
DRIDHJA PREJ TË CILIT DO TË VLOJNË DETET

“Kur Toka të dridhet fuqishëm…” (El-Vakia, 4)
Të gjitha tregimet e Kuranit në lidhje me ardhjen e momentit kur do të fillojë fundi i botës, flasin për atë se në Tokë do të ndodhë një dridhje e madhe. Po ashtu, në Kuran qartë flitet se kjo dridhje do të jetë shumë e fuqishme. Në ajetet e Kuranit thuhet se si kjo dridhje e cila do t’i shndërrojë malet në pluhur, do të shkaktojë panik të madhe tek njerëzit. Gjendja e detit është përshkruar kështu:
“kur detet të vlojnë…” (Et-Tekvir, 6)
“kur detet të përzihen…” (El-Infitar, 3)
Dhe vërtet, me rastin e dridhjes e cila do t’i shndërrojë malet në pluhur, prej brendisë së Tokës në shumë vende do të dalë lava e nxehtë. Magma që del nën deti, për shkak të nxehtësisë së madhe, do të shkaktojë vlimin e ujit të detit. Është e pamundshme, madje edhe nëse e ka përjetuar dridhjen, që Muhamedi sal-lallahu alejhi ue sel-lem i cili në jetën e tij ndoshta nuk e ka parë detin, ta dinte se me rastin e dridhjes së madhe, lava do të çonte deri te vlimi i detit. Prej njerëzve të asaj kohe nuk mund të presim që ta dinë potencialin e shtresës magmatike dhe që ai potencial thjeshtë do të çonte deri te vlimi i ujit të detit.
“dhe egërsirat të tubohen…” (Et-Tekvir, 5)
Kurani tërheq vëmendjen në tubimin e kafshëve të egra në kohën e dridhjes së madhe kur vjen fundi i botës. Sjellja e kafshëve gjatë dhe pas dridhjes edhe sot e tërheq vëmendjen e shkencëtarëve. Me rastin e një tërmeti, ishte konstatuar se në kopshtin zoologjik Seatle Woodland, elefantët ishin sjellë në mënyrë të çuditshme, se gorillat nëpër kafaze nuk zinin vend. Tronditjet dhe reagimet e çuditshme të kafshëve me rastin e tërmeteve, edhe më tej janë lëndë e hulumtimit. Konsiderojmë se pas leximit të ajetit kuranor lidhur me këtë çështje, do të ishte e dobishme që të thellohen këto hulumtime.
“kur Toka të sheshohet (nga rrënimi i maleve) dhe të flakë atë që ka brenda e të zbrazet…” (El-Inshikak, 3-4)
Edhe në ajetet e cituara të sures Inshikak, tërhiqet vëmendja në nxjerrjen e asaj që Toka e bart në vete, ndërsa po ashtu përkrahen komentimet se në kohën e dridhjes së madhe të kiametit, magma do të dalë në sipërfaqe në shumë vende të Tokës.
Allahu i Lartësuar me tregimet e Kuranit dëshiron t’i orientojë mendimet e njerëzve në ngjarjen më serioze që do të ndodhë në Tokë.
Me zhvillimin e shkencës në kohën moderne, të gjitha zbulimet relevante shkencore tregojnë se Tokën dhe tërë gjithësinë e pret fundi i pashmangshëm, pra se do të ndodhë fundi i botës për të cilin flet Kurani. Më në fund, askush nuk mund të thotë se yjet do të ekzistojnë përgjithmonë, se Dielli gjithmonë do të shkëlqejë, se kurrë nuk do të zhduket kjo gjithësi dhe kjo Tokë.
Kurani e ka thënë këtë në periudhën në të cilën nuk ka ekzistuar asnjë zbulim shkencor lidhur me këtë çështje dhe prapë ishte i pagabueshëm. Përndryshe, tashmë ekzistojnë shenja se në gjithësi do të ndodhë kataklizmi i përgjithshëm, njëjtë siç e thekson këtë Kurani:
“A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur. Po për çfarë do t’u shërbejnë atyre këshillat, kur t’iu ketë ardhur Kiameti?!” (Muhammed, 18)

Leave a Comment