Saturday 22 July 2017

EGJIPTI I LASHTË DHE TRUPI I FARAONIT

This post is also available in: English, Kurdish, Turkish

“Musai tha: “O Faraon! Në të vërtetë, unë jam i dërguari i Zotit të botëve!” (El-Araf, 104)
“Thanë: “Po kërkojmë gotën e mbretit.” (Jusuf, 72)
Hulumtimet e kryera në Egjipt, njohuritë deri te të cilat është ardhur në lidhje me faraonët dhe mbishkrimet e deshifruara të hieroglifëve e përkrahin atë që përmendet nëpër tregimet kuranore rreth Musait a.s. për Egjiptin dhe faraonin dhe janë përputhje e plotë në mes tregimit të detajuar kuranor dhe fakteve historike.
Kurani në kohën e Jusufit a.s. e përmend sundimtarin me emrin “melik”. Fjala arabe “melik” do të thotë sundimtar ose mbret. Mirëpo, sundimtari gjatë kohës së Musait a.s. përmendet me titullin faraon.
Përdorimin e fjalës faraon, Encyclopedia Britannica e shpjegon në këtë mënyrë: “Fjala ‘per’aa: shtëpi e madhe’ nga gjuha egjiptiane në të vërtetë ishte emri i pallatit në Egjiptin e lashtë. Mirëpo, prej mbretërisë së re (fillon prej dinastisë 18: 1539-1292 para erës tonë) e deri te dinastia 22 (945-730 para erës tonë) fillon të përdoret si titull nderi. Më vonë ka evoluar dhe është bërë titull i mbretit. Mirëpo, më parë aspak nuk ishte përdorur.” Siç po shihet, preciziteti i lartë i shprehjes kuranore shihet edhe në faktin se sundimtarin e Egjiptit në kohën e Musait a.s. Kurani e ka paraqitur si faraon, ndërsa sundimtarin e Egjiptit nga koha më e lashtë, nga periudha e Jusufit a.s., e kishte paraqitur si “melik”.
Encyclopedia Britannica për faraonët thotë: “Përveç statusit hyjnor, faraoni posedonte edhe forcë magjike. Gjarpri në kurorë gjuante zjarr mbi armiqtë, ndërsa në fushën e betejës arrinte të korrte fitore mbi mijëra armiq. Besohej në të sikurse në zotin që është i gjithëfuqishëm, gjithëdijshëm, që e kontrollon natyrën dhe që shkakton plleshmërinë.”
Burimi më i rëndësishëm i thënieve të Britannica janë të dhënat te të cilat është ardhur prej hieroglifëve. Mirëpo, nuk duhet të na ikë fakti se hieroglifët janë harruar prej shekullit 3 para erës tonë dhe se janë zbuluar shumë më vonë. Pra, hieroglifët që janë harruar rreth 1000 vjet para shpalljes së Kuranit, janë zbuluar dhe deshifruar më shumë se 1000 vjet pas shpalljes së Kuranit.
Ajo që kishte ndodhur në mes faraonit dhe Musait a.s., Kurani e sjell më gjerësisht, edhe atë duke sjellë detajet që nuk gjenden as në Dhiatën e Vjetër e as në Dhiatën e Re. Shpjegimet në lidhje me gjarpërinjtë, tërheqja e vëmendjes ndaj magjisë së asaj kohe, shpallja e faraonit për hyjni janë në përputhje me njohuritë rreth faraonëve deri te të cilat është ardhur me deshifrimin e hieroglifëve.

PAPIRUSI I IPUVERIT I VËRTETON AJETET E KURANIT

Në fillim të shekullit XIX në Egjipt është gjetur një papirus që daton nga periudha e Mbretërisë së Mesme. Më pas është transferuar në muzeun holandez Leiden, në të cilin në vitin 1909 e kishte përkthyer A. H. Gordiner. Tërë përmbajtja e papirusit mund të gjendet në librin Admonitions of an Egyptian from a heiratic papirus in Leiden. Papirusi i shpjegon katastrofat që e kishin goditur Egjiptin sikurse thatësira dhe uria, pastaj ikja e robërve (mendojmë se kjo ka të bëjë me Bijtë e Izraelit) nga Egjipti. Nga papirusi është e qartë se shkrimtari i tij, Ipuveri ishte dëshmitar i atyre ngjarjeve. Tani do t’i krahasojmë disa pjesë të numëruara nga papirusi me ajetet e Kuranit:
PAPIRUSI I IPUVERIT:
10: 3-6 Është shkatërruar pjesa e poshtme e Egjiptit. I tërë pallati ka mbetur pa punë. Gjithçka që ishte e deponuar: gruri dhe elbi, pata dhe peshq, të gjitha u zhdukën.
10: 6-3 Kështu, në të gjitha vendet janë shkatërruar të mbjellat.
2:10 Lumi është ngjyrosur me gjak.
2: 5-6 Fatkeqësia është në të gjitha anët. Gjithçka është lyer me gjak.
3: 2 Ari dhe lapis, argjendi dhe malakit, karneol dhe bronzi… të gjitha nëpër qafët e robërve.

AJETET E KURANIT:
Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend. (El-Araf, 130)
Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës. (El-Araf, 133)
Kështu, Ne i bëmë ata të lënë kopshtijet dhe lumenjtë, thesaret e pallatet e mrekullueshme. Kështu ndodhi, dhe Ne ia dhamë të gjitha këto bijve të Izraelit. (Esh-Shuara, (57-59)
Tregimi kuranor se faraoni dhe populli i tij ishin dënuar me uri dhe me fatkeqësi të tjera është në harmoni të plotë me thëniet e papirusit të Ipuverit. Kurani thotë se si argument se është gabim të injorohet Musai a.s., kishte dërguar gjakun si fatkeqësi deri tek populli i faraonit (e njëjta gjë thuhet edhe për vërshimat, për karkalecat, rriqrat e të ngjashme). Në papirus po ashtu flitet për atë se lumenjtë dhe të gjitha vendet ishin lyer me gjak.
Rezultatet e hulumtimeve të deritanishme kanë treguar se ngjyrën e kuqe nëpër lumenjtë e lyer me gjak mund ta shkaktojnë propozoitet, zooplanktonet, planktonet e ëmbla e të njelmëta ose dinoflagelatet. Për shkak të asaj që e ka shkaktuar prodhimin e materieve toksike të cilat me shkatërrimin e oksigjenit në ujë, janë helm për qeniet e gjalla, të gjitha këto po ashtu kanë çuar deri te pamundësia e përdorimit të ujit të lumenjve, por edhe shkatërrimin e qenieve të gjalla nëpër lumenj.
Hulumtuesit e kësaj çështje e kanë parë mundësinë e një skenari të këtillë për shkaktimin e katastrofës për të cilën flet Kurani: “Me helmimin e Nilit erdhi deri te ngordhja e peshqve dhe kështu egjiptianët mbetën pa një ushqim të rëndësishëm për jetë. Në ndërkohë, bretkosat, vezët e të cilave peshqit më nuk i hanin, janë shumuar shumë dhe janë grumbulluar në rajon, mirëpo më vonë, me helmim edhe ato kanë ngordhur. Ngordhja e peshqve dhe bretkosave erdhi deri te ajo që, përveç lumenjve, të helmohet edhe toka e pëlleshme. Ngordhja e bretkosave ka shkaktuar shumimin e tepërt të karkalecave dhe mola të drithërave.”
Kuptohet, ky sqarim është skenar i paramenduar. Nuk e dimë se a ka ndodhur ashtu për atë siç flet Kurani; nuk kemi kurrfarë argumente të cilat do ta vërtetonin këtë. Mirëpo, ky skenar i paramenduar mund të na japë disa shenja të caktuara në lidhje me zhvillimin e ngjarjeve për të cilat flet Kurani.
Sido që të jetë, papirusi i Ipuverit tregon se popullit të faraonit i kanë ndodhur shumë fatkeqësi, uri, gjak për të cilat flet Kurani, se njerëzit (Bijtë e Izraelit) të cilët njerëzit e faraonit i kanë mbajtur si robër, janë bërë trashëgimtarë të asaj që e kanë poseduar skllavopronarët, ndërsa kjo siç është e qartë edhe prej ajeteve të cituara, gjendet në Kuran.

TRUPI I FARAONIT:
ARGUMENT TË CILIN SHUMICA NUK E DINË

“Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.” “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?! Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.” (Junus, 90-92)
Kur ishte i sigurt se do të vdesë, faraoni thirri se beson në Zotin të cilin e adhurojnë bijtë e Izraelit dhe se është mysliman. (Kurani thotë se të gjithë pejgamberët kanë thirrur në islam dhe se sipas kësaj, ata ishin myslimanë. Mirëpo, sot fjala mysliman përdoret me kuptim të kufizuar dhe me të dallohen vetëm ithtarët e Muhamedit a.s.) Mirëpo, këtë pendim të faraonit i cili e kishte parë se pashmangshëm e pret vdekja, Allahu i Lartësuar nuk e kishte pranuar. Pikërisht për këtë, Allahu thotë se do ta nxjerrë vetëm trupin e tij me qëllim që të jetë mësim për ata që vijnë pas tij. Është krejtësisht e pamundshme që në kohën e Muhamedit sal-lallahu alejhi ue sel-lem ose në shekujt e mëvonshëm të pranohet mundësia se do të gjendet trupi i ruajtur i njeriut me mijëra vjet dhe se do të bëhet fjalë për faraonin. Ky formulim kuranor është fenomen, por gjithashtu është e rëndësishme edhe ajo se Kurani thotë se, edhe përkundër këtij fenomeni të qartë, shumë njerëz janë indiferent ndaj tij. A nuk është i saktë ky pasqyrim të cilin e shikojmë me sytë tanë? Me të vërtetë ka shumë shenja të Allahut, me të vërtetë shumë njerëz janë indiferent ndaj tyre!
Në kohën e shpalljes së Kuranit, trupat e gjithë faraonëve janë gjetur të mumifikuar dhe të fshehur në Luginën e Mbretërve, në bregun e lumit Nil. Këta trupa, këto mumie janë zbuluar në shekullin XIX, sot ruhen si eksponate më të vlefshme të muzeut.
Mund të diskutohet rreth asaj se cili është faraoni për të cilin flitet në Kuran, mirëpo cilido që të jetë, trupi i atij faraoni sot gjendet në muzeun e Kajros në sallonin e mumieve dhe i hapur për vizitorët. (Supozohet se Ramzesi II ose djali i tij Merneptahu mund të jetë faraoni i periudhës në të cilën mendohet se ka jetuar Musai a.s. Në trupin e Merneptahut janë të dukshme shenjat e goditjeve vdekjeprurëse. Ka të atillë të cilët konsiderojnë se ato gjurmë janë shkaktuar me rastin e mbytjes së këtij faraoni në det, me ç’rast, pasi që ishte mbytur, trupin e këtij faraoni deti e kishte hedhur në breg dhe ashtu siç kishin vepruar edhe me trupat e faraonëve tjerë, egjiptianët e kishin mumifikuar trupin e këtij faraoni. Treguesit historik që janë në disponim nuk mjaftojnë që të mund të thuhet se si vdiq ai. Mirëpo, nuk është zbuluar asnjë kundërshti në mes vdekjes së faraonit për të cilin flet Kurani dhe këtij trupi).
Trupat e faraonëve nga Lugina e Mbretërve janë zbuluar ndërmjet viteve 1881 dhe 1898 pasi që për 3000 vjet kishin qëndruar nëpër varre). A nuk ishte e nevojshme që të zbulohet ky trup, pasi që Kurani ka thënë se trupi i faraonit do të jetë argument? Ishte e nevojshme… Mirë, çfarë ka ndodhur? Si zakonisht, prapë ka ndodhur ajo të cilën Kurani e kishte paralajmëruar, që ishte e nevojshme… Trupi i gjet… pas 3000 viteve… Mirëpo, si është puna me konstatimin kuranor se “shumë njerëz janë indiferent ndaj mësimeve të Allahut”? Këtë hulumtojeni ju; pyetni njerëzit e rrethit tuaj… Sa janë të interesuar njerëzit dhe sa janë të udhëzuar ata në argumentet e Allahut?

Leave a Comment